Gjermania do të fillojë të heqë pjesën më të madhe të kufizimeve të koronavirusit.
Plani me tre hapa, i cili përfshin lejimin e njerëzve të pavaksinuar të kthehen në dyqane dhe restorante, do të shohë Gjermaninë të arrijë “ditën e lirisë” më 20 mars.
“Pas dy vitesh ne meritojmë që gjërat të jenë përsëri më mirë dhe duket se kjo po ndodh tani”, u tha Scholz gazetarëve.
Por ai u bëri thirrje gjermanëve të qëndrojnë të kujdesshëm dhe tha se do të duhej të mbanin maska për fytyrën. “Pandemia nuk ka mbaruar”, tha ai.
Gjermania është kombi i fundit evropian që përpiqet të kthehet në më shumë normalitet, dy vjete pasi u shfaq për herë të parë pandemia dhe ndryshoi jetën e përditshme dhe rutinat e njerëzve.
Si hap i parë, Gjermania do të heqë menjëherë maksimumin prej 10 personash në tubimet private të njerëzve që janë vaksinuar ose janë shëruar nga Covid-19.
Megjithatë, për të pavaksinuarit, rregulli që ata mund të takojnë vetëm dy persona jashtë shtëpisë së tyre do të mbetet në fuqi edhe për një muaj tjetër.
Hyrja në dyqanet jo thelbësore do të jetë sërish e hapur për të gjithë, pa kontrolle nëse klientët janë të vaksinuar kundër virusit apo jo. Maska për fytyrën do të kërkohet ende, me maska FFP2 me mbrojtje të lartë të rekomanduara.
Nga 4 marsi, restorantet dhe hotelet do të lejohen të mirëpresin sërish të pavaksinuarit, për sa kohë që ata mund të japin një test negativ të fundit – një sistem i njohur si 3G në Gjermani.
Klubet e natës do të rihapen, por jo për të pavaksinuarit. Të gjithë të tjerët do të duhet të japin një test negativ – i ashtuquajturi sistemi 2G plus.
Numri i personave që lejohen të ndjekin ngjarje të mëdha, përfshirë garat sportive, sipas rregullave 2G plus, do të rritet.
Në hapin e fundit, kufizimet e mbetura në jetën sociale, kulturore dhe ekonomike do të hiqen gradualisht deri më 20 mars.