Asi i tenisit botëror Novak Gjokoviç po i qëndron I palëkundur dhe refuzon të marrë vaksinat kundër COVID, duke u zotuar se do të bojkotojë turneun Wimbledon në Londër dhe French Open në Paris, nëse organizatorët thonë se ai duhet të vaksinohet për të marrë pjesë.

Pas dëbimit nga Australia muajin e kaluar, Gjokoviç ka folur për herë të parë, duke pohuar se “trupi im është më i rëndësishëm se çdo titull apo çdo gjë tjetër”.

Në një intervistë me BBC , kampioni i shumëfishtë i Grand Slam tha “Ky është çmimi që unë jam i gatshëm të paguaj”, kur u pyet nëse ai do të humbiste turne të mëtejshme nëse ata mandatojnë vaksinimet për pjesëmarrësit.

“Po përpiqem të jem në harmoni me trupin tim sa më shumë që të mundem,” vazhdoi Gjokovic, duke shtuar “për mua, si një atlet profesionist elitar, unë gjithmonë kam shqyrtuar dhe vlerësuar me kujdes gjithçka që vjen, nga suplementet, ushqimi, uji që pi ose pijet sportive, çdo gjë që me të vërtetë hyn në trupin tim.”

“Bazuar në të gjitha informacionet që mora, vendosa të mos e bëj vaksinën,” tha më tej ai.

Kur u pyet nëse ai ishte një antivaksinues, Gjokoviç u përgjigj “Unë them se çdokush ka të drejtë të zgjedhë ose të veprojë siç mendon se është e përshtatshme për të”, duke sqaruar se “Unë kurrë nuk kam qenë kundër vaksinimit”.

“Unë e kuptoj dhe mbështes plotësisht lirinë për të zgjedhur nëse dikush dëshiron të vaksinohet apo jo. Unë nuk kam folur për këtë më parë dhe nuk e kam bërë të ditur kartelën time mjekësore dhe statusin tim të vaksinimit, sepse kisha të drejtën ta mbaja atë private dhe diskrete, “shpjegoi ai.